Publikime

 

PUBLIKIME
Nga anëtarët dhe simpatizantët e ShSh ILIRIA

***************************

SHQIPTARËT NUK MUND TË MUNGONIN NË FESTAT KONSULLORE NË LION !

 

 

 

Shqipëria dhe Kosova në stendë të përbashkët

 

 

 

Fundjavën e kaluar u mbajtën Festat Konsullore në Lion të Francës. Ky aktivitet, që është bërë traditë në qytetin e Lionit, këtë vit mblodhi tërë ambasadorët dhe konsujt e përfaqësive diplomatike të huaja në Francë. Tre ditë qendra e Lionit foli mbi 80 gjuhë të ndryshme, me spektakle, muzikë, promovime turistike, artizanale. Për dallim nga stendat tjera, stenda shqiptare kishte dy flamuj:të Shqipërisë dhe të Kosovës. Për një përfaqësim të përbashkët të Shqipërisë dhe Kosovës ishte edhe më e lehtë për punën e Konsullit të Nderit të Shqipërisë, zotit Denis Di Leonardo, që po bën një punë të jashtëzakonshme për shqiptarët. Shumë më lehtë ishte edhe për vullnetarët, anëtarë të Shoqërisë Shqiptare Iliria që vepron në Lyon. Përfaqësimi i përbashkët shqiptar ishte një argument më shumë për të përgjigjur pyetjeve të vizitorëve francezë dhe botërorë që nuk e kishin kuptuar akoma pse shqiptarët mbahen akoma të ndarë mes gjashtë shtetesh të Ballkanit. Në vizitë tek shqiptarët ishte edhe vetë kryetari Komunës së Lionit, Gerard Collomb i shoqëruar nga drejtues tjerë institucionalë të regjionit Rhone Alpes. Si çdo herë ai është i përzemërt me shqiptarët dhe as këtë herë nuk ka kaluar pa e ngritur një dolli me dhe për shqiptarët. Sikurse dhe vitin e shkuar, stenda e Shqipërisë dhe e Kosovës promovoi turizmin dhe atraksionet e ndryshme që paraqet vendi ynë si dhe autorë që kanë botuar vepra në shqip dhe në frëngjisht. Shkrimtari francez Christian Fougerouse, i dashuruar përtej mase me Shqipërinë dhe shqiptarët ka botuar së fundmi në Francë librin e tij "Fshatarët e Shqipërisë". Ai përveç këtij libri me shpjegimet e tij për Shqipërinë la mbresa të thella tek secili vizitor i Festave Konsullore, duke ndarë me ta dashurinë për Shqipërinë dhe shqiptarët. Libri i dytë i promovuar me këtë rast ishte romani i veprimtarit të Shoqërisë, Ramadan Bozhlani. "Klithja e ndërgjegjes", që flet për fatin e të zhdukurve gjatë luftës së Kosovës. Me një vëmendje të veçantë u përcoll edhe libri në botim e sipër me receta shqiptare "Bukë, kripë e zemër" e punuar me aq përkushtim nga Kryetarja e Shoqërisë Shqiptare Iliria, zonja Rina Çela Grasset. Të shtunën në mesditë, Konsulli i Nderit i Shqipërisë z. Di Leonardo, nënkryetari i Dhomës Ekonomike Francë - Shqipëri, zoti Gazmen Toska dhe Shoqëria Shqiptare Iliria organizuan një koktej për trupin diplomatik dhe konsullor. Me mijëra vizitorë erdhën në stendën tonë të përbashkët. Shqipëria e Kosova shuan edhe njëherë kurreshtjen e të huajve që nuk e njohin aq mirë këtë pjesë të Evropës. Qindra shqiptarë, mes të cilëve shumë studentë, erdhën me kënaqësi në stendë dhe për disa orë u ndjenë si në vendin e tyre. Radhët e Shoqërisë Shqiptare Iliria u shtuan me anëtarë të rinj, me njerëz që vijnë plot energji, me dëshirën e mirë për të bërë diçka për atdheun e tyre. Mirutakofshim në Festat Konsullore 2017 ! Ne do të jemi gjithmonë këtu !

A.Pllana

 

***************************

Meshë në Lion për “Shqiptaren më të famshme në botë”

“Shqiptarja më e famshme në botë” - kështu e cilësoi Kardinali Barbarin Nënë Terezën, në meshën që iu kushtua të premten e kaluar. Motrave të saj, besimtarëve katolikë të famullisë së Lionit iu bashkuan një grup shqiptarësh, të cilëve u ishte rezervuar vendi i nderit. Konsulli i Nderit i Shqipërisë, Denis di Leonardo dhe bashkëshortja e tij ishin gjithashtu të pranishëm. Meshën e drejtoi vetë Kardinali Barbarin, një ndër krerët e njohur të kishës katolike. Ai foli me admirim për Nënë Terezën, duke u kujtuar të gjithëve se ajo ishte shqiptare dhe kishte lindur më 1910 në Shkup të Shqipërisë. Ai foli gjatë dhe me shumë admirim për Nënë Terezën, besimi i të cilës “kishte patur re të errëta”, por ajo kurrë nuk kishte rreshtur së dashuri njerëzit, të cilëve nuk ua kishte kursyer kurrë dashurinë dhe ndihmën. "Disa organizata vendosën të bëjnë një marshim kundër luftës gjithandej nëpër botë. Ata shkuan të marrin edhe përkrahjen e Nënë Terezës. Ajo ishte përgjigjur që nuk mund të merrte pjesë në një marshim të tillë. Por, i kishte siguruar se do të merrte pjesë gjithmonë në një marshim për paqen". Mesha për Nënë Terezën u mbyll me një arie “Ave Maria” magjepsëse nga sopranoja shqiptare Alketa Çela, fama e të cilës i ka kapërcyer kufijtë e Lionit dhe të Francës.
A.Pllana

 

 

 

 

 

 

***************************


Lion, Francë: Ngjarje e rëndësishme fetare e kulturore për shenjtërimin e Nënës Terezë

 


Në kishën ST Jean në Lionit të Francës u mbajt një meshë në shenjë falënderimi e respekti për shenjtërimin e Nënës Terezë. Meshën e udhëhoqi kardinali Barbarin.
Në këtë ngjarje të rëndësishme ishin të pranishëm përplot mërgimtarë shqiptarë që kishin shkuar të jenë pjesë e atij organizimi të rëndësishëm.
Shkrimtari dhe aktivisti i devotshëm për çështjen shqiptare Ramadan Bozhlani i tha redaksisë DritarjaOnline, se në mesin e shqiptarëve kishte profesoresha universiteti, soprano, shkrimtarë, dramaturgë, studentë, policë, afaristë, si dhe mërgimtarë të tjerë të profileve të ndryshme, të cilët u pritën ngrohtësisht nga nikoqiri i atij institucioni fetar.
Po ashtu pjesë e rëndësishme e kësaj ngjarjeje ishte edhe pjesëmarrja e konsullit të nderit të Republikës së Shqipërisë, Denis Di Leonardo.
Mesha për shenjtërimin e Nënës Terezë është përcjellë me pika të ndryshme muzikore të zhanrit të operës.
R.Bozhlani

 

 

 

***************************************

MESHË NË LYON PËR NËNËN TEREZË

Pak me pare u mbyll mesha per nder të të shenjtës Nene Tereza ne katedralen e Lionit.
Kardinali Barbarin, i famshem per oratorine e tij te jashtezakonshme, i thuri himne "shqiptares me te famshme ne botë" - po e citoj saktesisht. Imagjinoni krenarinë e shqiptareve te Lionit, qe ishin "ne krye te sedrit" - ne reshtat e pare - vend qe u ishte rezervuar enkas nga prifti i katedrales. Imagjinoni çudinë e tij ne telefon kur e njoftuam se një grup shqiptarësh te te gjitha feve d...ëshironim te ishin të pranishëm ne meshë per te ndare me besimtaret katolike nderimin ndaj kësaj shqiptareje te jashtëzakonshme, jeta e te cilës u udhëhoq nga dashuria per njeriun.
"Qershi mbi tortë" - sic parapelqejne te thone francezet, ishte casti kur zeri magjik i sopranos Alketa Cela jehoi i kristaltë mureve te katedrales mesjetare me një "Ave Maria" rrëqethëse. Zeri i saj na vinte permes tingujve te organos paksa nga larg, qiellor, te ftonte te mbyllje syte e ta lije imagjinatën te shpalosë krahet per te shkuar drejt horizontesh te largeta, atje ku perjetesia eshte dashuri e paqe. Mbyllje me e bukur nuk behej dot ! 
R. Cela


*********************************

«Sivis amari, ama!»
Parathënie e librit "Thesare Shqiptare" të autores Rina Çela Grasset
Nga Luan Rama

Eshtë e dyta herë që proverbat shqiptare botohen në Francë në gjuhën frënge. Në fillim ishte konsulli francez në Janinë, Auguste Dozon, që në vitin 1869 zbarkoi në Janinë, e cila në atë kohë gjendej në territorin shqiptar, një periudhë kjo kur konsulli i pasionuar pas folklorit të popujve ballkanikë, veçanërisht të shqiptarëve, serbëve, bullgarëve, grekëve e malezezëve, filloi të botojë edhe proverbat shqiptare, krahas përrallave dhe këngëve historike, të dashurisë dhe mbi historinë e gjuhës shqipe.
Pothuaj 120 vjet më vonë, përsëri në Francë, Rina Cela, përkthyese e talentuar, kapërceu “urën midis dy brigjeve” nga Shqipëria në Francë (fillimisht për të kryer studimet pasuniveristare e pastaj qëndroi për një histori dashurie), me pasionin e trashëgimisë kulturore e të folklorit na përcjell kësaj rradhe rreth 500 proverba. Këto proverba s’janë gjë tjetër veç një e vërtetë jetësore e popullit, thënë me shumë art, të krijuara nëpër histori e të ardhura këtu nga skaji perëndimor i Evropës jugore, nga brigjet përballë Itakës në detin Jon, atje ku ndaloi Odiseu i Homerit e që popujt e botës e kënduan në mira vjet.
Konsulli Auguste Dozon kishte tre miq të afërt shqiptarë, tre rilindas të shkolluar në gjimnazin “Zosimea” të Janinës. Përmes frëngjishtes, ata do t’i shërbenin mikut francez për të deshifruar enigmat, vlerat krijuese të gjenisë popullore dhe atë çka mbartëte bota shqiptare: Naim Frashëri, poeti i madh rilindas, i dha atij proverbat shqiptare, të cilat konsulli i botoi në Manuali i gjuhës shqipe në 1875; gjuhëtari i shquar Konstantin Kristoforidhi e ndihmoi në hartimin e një fjalori e gramatike shqiptare, ndërsa rilindasi tjetër Apostol Meksi, i dha atij rite e zakone të jetës së jugut shqiptar, të cilat ai do t’i botonte në Francë. Proverba të këndshme dhe mjaft të gjetura si “Më mirë të dish se të kesh, “Kur u bëre kungull more gardhin,”çdo berr varet nga këmbët e veta apo “Kush s’ka kokë ka këmbë”, etj.
Në botën e proverbave, lëvronin ndërkohë dhe disa rilindas të tjerë e albanistë, si Thimi Mitko, botuesi I “Bletës shqiptare”që jetonte në komunitetin shqiptar të Egjiptit të shqiptarit Mehmet Ali Pasha dhe botoi 490 proverba shqiptare; Girolamo De Rada, poeti arbëresh dhe mik i Lamartine që jetonte atë kohë në jug të Italisë; Johan Georg Hahn, konsulli austriak në Athinë që kishte rrahur me këmbë viset shqiptare dhe kishte botuar Albanischen Studien; Carl H. T. Reynold apo J. R. Xylander që mblidhte përralla e proverba të shqiptarëve të ishujve të Greqisë, si në Poros, Hydra apo Specia ku jetonin ngulimet shqiptare, e shumë të tjerë. Në fakt, që në vitin 1635, autori shqiptar Frang Bardhi kishte botuar në shqip rreth 100 proverba shqiptare, mes të cilave dhe “Shtri këmbët sa të kesh jorganin” (Duhet të shtrim kambëte sa ke të mbuluemit”), që e gjejmë dhe në të folurën e përditshme sot.
Padyshim që korpusi i proverbave shqiptare ka përqasjet e veta me proverbat greke, serbe, malazeze e maqedonase dhe kjo është e kuptueshme. Brenda një kulture ballkanike ku popujt e trazuar në luftrat e pampabarimta mes tyre dhe të ndrydhur më vonë nën pushtetin obskurantist otoman, kanë dhënë e kanë marrë nga njëri-tjetri.
Mënçuria, simbolizmi dhe lakonizmi popullor në krijimin e proverbave është i habitshëm edhe pse anonim. Autorët e tyre nuk njihen, autor është populli dhe përvoja e tij, ku mendimi dhe fjala duket se kanë gjetur atë unison të përkryer për të shprehur një qëndrim, një emocion, dëshirë apo dhimbje, një eksperiencë apo për të dhënë madje një këshillë praktike. Interesante në këtë libër janë proverba si “Dielli s'mund të mbulohet me shoshë», «Rrihe hekurin sa është i nxehtë», «Mos i shih syrin po mendjen», «Per nje plesht djeg tërë jorganin»… Por padyshim, lista e tyre është e gjatë. E sigurisht, si gjithnjë, proverbat kanë derivatet e tyre, simotrat e tyre, ku ndryshon dekori, atmosfera, por ku thelbi është i njëjtë. Në kohëra të largëta ato i gjejmë në vargje dhe shumë prej tyre janë maft imagjinative, metaforike dhe nganjëherë tingëllojnë si urdhëresa të detyrueshme, ashtu siç pothuaj dymijë vjet më parë, Shën Agustini shkruante «Sivis amari, ama!», pra «duaj që të të duan!»
Korpusi i proverbave popullore shqiptare është padyshim i madh dhe me ngjyra të ndryshme gjuhësore nga një krahinë në tjetrën. Disa prej tyre janë të lidhura dhe me data historike apo figura të historisë si Ali Pashë Tepelena, Lekë Dukagjini, etj. Të tjera na vijnë nga mugëtirat e historisë siç është dhe proverba e botuar nga Frang Bardhi «Të shtrish këmbët sa ke jorganin» apo «Kush i bën gropën shokut, bie vetë brenda», etj.
Në këtë libër ju do të gjeni një përzgjedhje të proverbave shqiptare nga krahinat e ndryshme shqiptare. Në Prizeren populli thotë një proverb të bukur: «Cdo mal e di barrën e vet»; në Tetovë thuhet: «Fjala e drejtë është e shkurtër, fjala e shtrembër, është e gjatë»… Pra, ky botim, është porta e parë për të hyrë në botën e proverbave shqiptare, duke shpresuar që Rina Cela të na rihapë porta të reja të trashëgimisë popullore, botime me përralla, këngë dashurie e historike, etj, porta të kësaj pasurie të madhe, e cila padyshim i përket trashëgimisë orale botërore. E sigurisht, kur kjo krijimtari popullore pikëtakon një talent të vizatimit si të Jacques Mercoiret, proverbat, përrallat, filozofia popullore na vijnë me një modernitet të këndshëm që të bëjnë të udhëtosh në kohëra, shoqëri e zakone, në vetë filozofinë jetësore e historike të një populli.

*****************

Në zemër të bashkisë së Lionit u përndez atmosfera e Festës 28 Nëntorit
Nga: Ramadan Bozhlani

Ftesat që shpërndau Shoqëria Iliria, i pati bërë Konsulli i Nderit të Shqipërisë në Lion, francezi Denis di Leonardo me titullin: “Venez celebrer avec nous la fete nationale albanaise le 28 novembre” – (Ejani me ne të festojmë festën kombëtare shqiptare më 28 nëntor).

Në ora  14:00, posa u futëm në Sallën e Nderit të Bashkisë së Lion VI, vërehej qëndresa e lavdishme e flamurit shqiptar të shoqëruar nga ai francez dhe evropian. Salla ishte e mveshur me piktura gjigante. Në anën e majtë mbi tryezën e gjatë qëndronin gotat me shampanjë, ndërsa në anën e djathtë tryeza ishte mbushur me librat e autores Rina Çela që njëkohësisht është edhe kryetare e Shoqërisë Iliria. Titulli i librit që kishte ngjallur një interesim tek lexuesi francez ishte “Trésors Albanais” (Thesari shqiptar), i cili në mënyrë të denjë promovon proverbat shqiptare të të gjitha trojeve në gjuhën frënge.

Në foltore i pari doli kryetari i Bashkisë së Lionit VI, zoti Pascal Blache që mbajti një fjalim frymëzues me urimet për festën e 28 Nëntorit. Pastij e mori fjalën afaristi i shquar shqiptar Gasmen Toska i cili foli për vlerat e kësaj feste. Ai është Kryetar i Shoqërisë për nismën e dhomës tregtare Francë-Shqipëri që edhe sot ishte si shumë herë tjera ishte bashkëorganizator në manifestime të ndryshme kulturore në Lion. Denis du Leonardo me shumë pasion u thellua në shekujt shqiptar, për ta shfaqur rëndësinë historike të kësaj feste heroike dhe në fund na uroj në gjuhën shqipe festën.
E përmbylli seancën e fjalimeve në mënyrë madhështore kryetarja e shoqatës Rina Çela duke lexuar disa proverba shqiptare.
U ngritën dolli për nder të festës së 28 Nëntorit duke shkëmbyer mes vete urime të përzemërta. Përveç shqiptarëve dhe francezëve në Festën Shqiptare ngrenë dolli edhe disa nga përfaqësuesit diplomatik (konsuj) evropianë që janë me detyrë në Lion. Pastaj të gjithë me gota në duar ju afruan tryezës ku i firmoste librat autorja Rina Çela, e cila pranoj përgëzime për këtë vepër të çmuar.
Përndezja e atmosferës së kësaj feste shqiptare mu në zemër të pallatit të Bashkisë së Lion VI, të entuziasmonte në mënyrë tepër të veçantë.
Shkrepja e aparatave fotografike do të lenë gjurmë mbreslënëse në kujtesën e një feste shqiptare në Lion.
Që shumë e shumë vite veprimtarët e Shoqërisë Iliria janë shquar për aktivitet shumë të rëndësishëm në Lion e Francë duke e shndërruar këtë shoqëri në ambasadë të vërtetë shqiptare me prezentim dinjitoz të Shqipërisë dhe shqiptarëve.

 

**********************

Shoqëria Shqiptare
ILIRIA
Lyon - Francë

e-mail : iliria@free.fr
association_iliria@hotmail.com

Lyon, Francë, 19 prill 2015

Shoqëria Shqiptare “Iliria" mbajti Mbledhjen e Gjashtë të Përgjithshme

Në Lyon më 19 prill 2015, u mbajt Mbledhja e Gjashtë e Përgjithshme e Shoqërisë Shqiptare “Iliria”. Në pikat e rendit të ditës ishte paraparë një analizë punës së deritashme të Shoqërisë, ndryshimet statutore si dhe zgjedhjet e reja për Kryesi të Shoqërisë.

Gjatë punimeve të Mbledhjes u shqyrtuan të gjitha aktivitetet e zhvilluara të Shoqërisë që nga Mbledhja e Pestë e Përgjithshme. 

Në periudhën e kaluar mes dy Mbledhjeve të Pêrgjithshme, Shoqëria Shqiptare “Iliria” realizoi shumë veprimtari në Lyon duke përmbushur edhe njëherë shumë nga synimet e saja të përcaktuara në programin e saj.

Ndër aktivitetet më të rëndësishme që u realizuan gjatë dy vjetëve të fundit mund të përmendim:

  •  Shënimi i Festave të Nëntorit me theks të veçantë 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë,
  • Shënimi i përvjetorëve të Pavarësisë së Kosovës,
  • Pjesëmarrja dhe organizimi i Festave Konsullore,
  • Pjesëmarrja dhe organizimi i Forumit të gjuhëve të huaja,
  • Provimi i librit “Dy dekada me shiptarët e Francës” të autorit Abaz Pllana
  • Aktiviteti i organizuar për kuzhinën shqiptare që do të dalë me botimin e librit për këtë temë nga zonja Rina çela Grasset,
  • Organizimi dhe pjesëmarrja e trupave teatrore nga Shqipëria dhe Kosova në Festivalin e Teatrove evropiane në Lion. Një vit ishte Mirush Kabashi dhe një vit grupi teatror nga Qendra Multimedia e Prishtinës,
  • Bashkëorganizimi i shfaqjes teatrore të Mirush Kabashit në Pallatin e OKB-së në Gjenevë,
  • Organizimi dhe pritja e Ministrit të Jashtëm Shqipat, zotit Ditmir Bushati në Lion,
  • Pjesëmarrja në aktivitetin kombëtar të Francës “Je suis Charlie”,
  • Pjesëmarrja dhe organizimi i fshatit shqiptar me emrin Butrinti në Lion,
  • Organizimi dhe mbështetja e punës së fotografit francez në botimin e librit “Të ardhur nga larg”,
  • Organizimi dhe mbështetja e Javës Shqiptare në kuadër të muajit të Frankofonisë,
  • Organizimi dhe mbështetja e ekspozitës “Marubi” në Lion,
  • Ndihma dhe pritja e grupit të studiesve nga Instituti Albanologjik i Prishtinës që merrej me kërkimet për Diasporën shqiptare,

    Gjatë periudhës së kaluar shifet se u bë një veprimtari e ngjeshur për të prezentuar sa më mirë Shqipërinë dhe shqiptarët në Francë. Këto aktivitete kërkuan punë dhe angazhim të shumtë nga mërgimtarët që edhe për disa vjet mbajtën gjallë frymën shqiptare në Francë.  

Një pikë e veçantë e Mbledhjes së Gjashtë të Përgjithshme, ishte edhe zgjedhja e Kryesisë së Shoqërisë. Me një unanimitet absolut u zgjodh Kryesia e Shoqërisë me këtë përbërje:

-  Rina çela Grasset – Kryetare
-  Enver Alilaj  – sekretar
-  Avni Bilali  – Arkatar
- Abaz Pllana – anëtar i kryesisë,
- Fehmi Plakiqi - anëtar i kryesisë,
- Ledia Dema - anëtare e kryesisë,
- Taulant Nela - anëtar i kryesisë,

Duke parë përvojën dhe historikun e gjithë veprimtarisë kulturore shumëvjeçare në Lion e më gjerë nga kjo Shoqëri, kemi shpresën se edhe në të ardhmen do të ketë aktivitete të mirëfillta kulturore nga mërgimtarët shqiptarë që janë veprimtarë në Shoqërinë Iliria.

Urojmë që kjo Shoqëri të rrisë akoma më shumë veprimtarinë e saj dhe do të jetë akoma më tej një zëdhënëse e shquar e shqiptarëve në Francë.

Pra, Shoqërisë Shqiptare "Iliria" i urojmë suksese të reja në punën e saj.

.

***************************

.Ideali patriotik kombëtar, i lirisë e i vëllazërisë midis popujve, I paqes e demokracisë – I vetmi flamur udhëheqës I komuniteteve të mërgimtarëve shqiptarë

Dy fjalë mbi librin "Dy dekada me shqiptarët e Francës" të autorit Abaz Pllana


Në festën e tetëvjetorit të Pavarësisë së Kosovës, organizuar nga Shoqëria Shqiptare "Iliria" e komunitetit shqiptar në Lion të Francës, patrioti dhe veprimtari i njohur i çështjes sonë kombëtare, Abaz Pllana, promovoi librin e tij të ri "Dy dekada me shqiptarët e Francës" .
Libri i zotit Abaz është një dëshmi autentike e përpjekjeve dhe sakrificave, e rolit që ka luajtur dhe kontributet që ka dhënë komuniteti i mërgimtarëve shqiptarë në Francë, i bashkuar fillimisht rreth Shoqërisë "Fan Noli" e më vonë asaj "Iliria", në luftën e përbashkët të popullit shqiptar për çlirimin e Kosovës nga pushtuesit serbë, për arritjen e lirisë dhe pavarësisë së saj, për mbrojtjen dhe propagandimin  e çështjes sonë kombëtare, të gjuhës e të kulturës, të historisë e të traditave të pasura të popullit tonë të lashtë.
Me botimin e këtij libri, zoti Abaz ka nderuar veten dhe familjen e tij, ka nderuar secilin nga ne mërgimtarët, ka nderuar çdo shqiptar.
Për përgatitjen dhe botimin e kësaj vepre, autorit i është dashur të bëjë sakrifica të mëdha, të përballojë një punë mjaftë voluminoze disavjeçare, t’i përkushtohej asaj me këmbëngulje, dëshirë e pasion të admirueshëm.
Çdo faqe të librit e përshkon vërtetësia dhe orgjinaliteti në trajtimin dhe shtjellimin e problemeve, sinqeriteti, dashuria dhe respekti për shokët e bashkatdhetarët, fryma patriotike e humanitare, shqetësimi për fatet e Kosovës, të popullit e të kombit tonë, besimi i patundur në zgjidhjen e drejtë e të shpejtë të çështjes sonë kombëtare.
Libri "Dy dekada me shqiptarët e Francës" i zotit Abaz Pllana, ndonëse në të ka edhe copëza kujtimesh, ndjenjash e impresione personale të autorit, parë nga problemet që trajton dhe nga mënyra si paraqiten ato, përbën një botim me karakter  të mirëfilltë historik. Me fakte e dokumente autentike autori shtjellon në mënyrë kronologjike historinë njëzetvjeçare, të jetës dhe veprimtarisë  politike atdhetare, shoqërore e organizative, arsimore, kulturore e artistike e të tjera të komunitetit shqiptar të emigrantëve në Francë. Si i tillë ai ka vlera të shumta edukative e shkencore aktuale edhe për të ardhmen. Ai është një ndihmë e çmuar për të gjitha komunitetet e emigrantëve shqiptarë kudo ku jetojnë e punojnë.
Është vërtetuar shkencërisht se pakicat kombëtare, kur nuk keqpërdoren nga politika e politikanët, kanë qenë dhe janë ura lidhëse të miqësisë e të bashkëpunimit midis popujve. Ndërsa komunitetet e emigrantëve janë transmetues të fuqishëm të linjave të gjata, përçues të ndërsjelltë, të dyanshëm, të gjuhës e të kulturës, të miqësisë, vëllazërimit e qytetërimit, të vlerave dhe idealeve më të përparuara midis popujve e kombeve. Libri i zotit Abaz Pllana dëshmon më së miri  dhe me një vërtetësi të pakontestueshme se sa me besnikëri, përkushtim e vendosmëri ka punuar, sa mund, përpjekje e sakrifica ka bërë komuniteti shqiptar në Francë për kryerjen e këtij misioni të tij. Ky realitet, si vërtetohet në çdo faqe të librit të zotit Abaz, shprehet në dy aspektet e tij kryesore. Me prezencën dhe me pjesëmarrjen aktive të personaliteteve të larta politike e shoqërore dhe figurave të shquara shkencore, artistike e kulturore si dhe e dhjetëra e qindra madje edhe mijëra qytetarëve francez si në veprimtarinë kulturore e artistike e shkencore ashtu edhe në ato politike në përkrahje e mbështetje të çështjes sonë kombëtare, të organizuara këto nga komuniteti shqiptar në Francë, nën drejtimin fillimisht të Shoqërisë "Fan Noli" e më pas të asaj "Iliria".
Nga ana tjetër komuniteti shqiptar në Francë ka dhënë dhe jep një kontribut të vyer me pjesëmarrjen e gjerë dhe aktive të tij në veprimtaritë dhe jetën politike, social-kulturore dhe ekonomike të shoqërisë franceze, në pasurimin e saj me prurje të reja origjinale nga gjuha, kultura e traditat shqiptare, çka dëshmon se për integrimin e tyre me dinjitet (jo asimilimin) në shoqëri franceze ku ata jetojnë e punojnë ashtu edhe për ruajtjen e identitietit të tyre të të qenurit shqiptar.
Ne jemi bashkëkohës të ngjarjeve që pasqyrohen në librin e zotit Abaz. Kush më shumë e kush më pak, në një formë a një tjetër jemi aktorë të tyre dhe e gjejmë veten midis faqeve dhe rreshtave të këtij libri.  Kjo mund të ndikojë e të na shtyjë që çështje të trajtuara në librin e zotit Abaz të na duken si të njohura dhe mund të mos i konceptojmë sa e si duhet vlerat e saj historike, vlera që sa më shumë vite të kalojnë aq më të mëdha e të çmuara bëhen. Për brezat e ardhshëm ato do të jenë xhevahirë.
Albanologët shqiptarë bëjnë sakrifica të mëdha duke rrëmuar si urithi nëpër arkivat e bibliotekat e botës për të gjetur thërrime e grimca dokumentesh, fjalësh apo frazash, mbi veprimtarinë patriotike, kulturore, arsimore e të tjera në shërbim të çështjes kombëtare të mërgimtarëve shqiptarë, të shoqërive apo klubeve të tyre të dekadave e shekujve të kaluar. Zoti Abaz me veprën e tij ua jep atë studiuesve dhe historianëve të ardhshëm të gatshme, të gjallë, me vërtetësi e dokumente autentike.
Dëshiroj të nënvizoj gjithashtu se nga përmbajtja dhe problemet e trajtuara në këtë vepër buron një mesazh sa i rëndësishëm aq edhe gjithnjë aktual : Komunitetet e emigrantëve shqiptarë apo diaspora siç emërtohet shpesh, mund ta kryejnë me sukses misionin e tyre vetëm nëse këto komunitetete veprojnë të bashkuar e të organizuar në shoqërira, shoqata apo klube që për flamur të tyre kanë vetëm idealin kombëtar, idealin e lirisë e të vëllazërisë midis popujve, idealin e paqes e demokracisë, larg ndikimeve ideologjike, fetare, krahinore e partiake.
Duke e falenderuar dhe përgëzuar autorin, zotin Abaz Pllana, për veprën sa interesante aq edhe të çmuar që na ka sjellë, i uroj atij suksese të mëtejshme, mirëseardhje me botime të reja.

Lyon, mars 2015                                                                                                                     Dr. Faik Qytyky

.

***************************

.

.

Kuzhina shqiptare prezentohet denjësisht në Francë


Për të prezentuar edhe një anë të ndritshme të Shqipërisë dhe shqiptarëve përgjithësisht, nënkryetarja e Shoqërisë Shqiptare ILIRIA në Francë, zonja Rina çela Grasset, mori nismën për përgatitjen dhe botimin e një libri për kuzhinën shqiptare dedikuar kryesisht publikut francez, por pse jo edhe atij shqiptar që jeton që shumë vite në Francë.
Përgatitja e recetave, organizimi i pjesëmarrjes së mërgimtarëve shqiptarë në rolin e kuzhinierit si dhe sigurimi i mbështetjes së një shtëpie botuese për të finalizuar këtë projekt shumë të rëndësishëm bëri që në ndihmë të ftohen profesionistë të kuzhinës në Francë. Shkolla e kuzhines CFA Ardèche Nord Annonay që është rreth 80 kilometra nga Lyoni ishte e para ajo që u interesua për këtë projekt që nuk është bërë deri më sot në Francë, në shtetin që kuzhina ka një rol shumë të rëndësishëm në jetën e përditshme. Gjithashtu për projektin ishte i interesuar edhe fotografi i njohur lionez, Emile Zeizig që shprehu gatishmërinë e fotografimit të këtij aktiviteti për të paraqitur në mënyrë sa më origjinale të gjitha aspektet e kuzhinës shqiptare.
Më 28 mars 2015, një numër i konsiderueshëm mërgimtarësh kryesisht anëtarë dhe mbështetës së Shoqërisë Shqiptare Iliria, iu përveshën punës në kuzhinë. Me një vullnet dhe kënaqësi me duart e tyre, para fotografit dhe mësimdhënësve të shkollës së kuzhinës CFA arritën të realizojnë mbi 45 receta me specialitete shqiptare që do të publikohen në Francë së shpejti në një libër.
Ky aktivitet i rëndësishëm përfundoi me një drekë të përbashkët dhe me një pasdite argëtuese.
29.03.2015

25 mars 2015

***************************

Dita e Pavarësisë së Kosovës shënohet në Lion të Francës

Me organizimin e Shoqërisë Shqiptare "Iliria", Fondacionit "Gazmend Toska" dhe Shoqërisë "Fëmijët Shqiptarë" më 15 shkurt 2015 u shënua Dita e Pavarësisë së Kosovës. Me këtë rast u bë edhe promovimi i librit dokumentar "Dy dekada me shqiptarët e Francës” të autorit Abaz Pllana.
Hapja si në çdo manifestim tjetër shqiptar u bë me himnin kombëtar. Përshëndetjen për mysafirët dhe udhëheqëse e programit ishte veprimtarja e Shoqërisë Shqiptare "Iliria", zonja Elisabeta Shehi.
Për Pavarësinë e Kosovës dhe rëndësinë historike të kësaj dite foli Gazmend Toska, veprimtar dhe themelues i Fondacionit me të njëjtin emër.
Të pranishmit i përshëndeti edhe Fation Peni, Ministër – Këshilltar në Ambasadën Shqiptare në Paris, Ramadan Avdiu, Konsull i Përgjithshëm i Kosovës në Gjenevë si dhe Kadri Dakaj, Konsull i Kosovës në Shtutgard.
Lidhur me librin që u promovua këtë ditë foli nënkryetarja e Shoqërisë Shqiptare "Iliria", zonja Rina çela Grasset, që ishte njëherit edhe një nga dy redaktorët e librit "Dy dekada me shqiptarët e Francës". Ajo foli për disa fragmente që i shtojnë vlerën këtij libri për të bërë të përjetshme veprimtaritë e shqiptarëve të Francës me më se dy dekada.
Ansambli i këngëve dhe valleve "Gëzuar" nga Gjeneva shfaqi për këtë manifestim pika të zgjedhura nga repertori i tyre i pasur. Pjesëmarrësit përcollën me duartrokitje të vazhdueshme tërë programin e këtij ansambli të vyer që udhëhiqet nga Xhemali Berisha dhe Nexhmedin Ilazi. 
Në mesin e shumë pjesëmarrësve të kësaj dite festive ishte edhe një mysafir i veçantë. Ai ishte Bardhyl Mahmuti që kishte ardhur me librin e tij që u botua vetëm para pak ditësh "Mashtrimi i madh".  Një libër që mbron denjësisht luftën çlirimtare të popullit të Kosovës, i cili u  shëtit dorë më dorë nga pjesëmarrësit. Ai do të pritet që të vijë në Lion javëve apo muajve në vazhdim.
Një manifestim i tillë, ngrohu zemrat e bashkatdhetarëve shqiptarë . Ata kanë nevojë të jenë së bashku edhe në festa e gëzime siç ishin së bashku në ditët më të vështira për Kosovën dhe popullin shqiptar.


D.P.

***************************

.

Fjala e nënkryetares së Shoqërisë Shqiptare ILIRIA, Zonjës Rina Cela Grasset, me rastin e promovimit të librit "Dy dekada me shqiptarët e Francës"  

Te tregosh kujtimet eshte menyra me e mire per te percjelle ngjarjet. T'i shkruash ato eshte edhe me mire sepse perndryshe gjithçka harrohet. T'i shkruash eshte menyra me e mire per te percjelle emocionet e perjetuara. Eshte gjest zemergjeresie, sepse kujtimet s'i mban per vete por i ndan me te tjeret. Kujtimet jane nje udhetim i çmuar ne ekzistence, qe tregojne nga ku vijme e se ku po shkojme. Ato jane dhurate per femijet e prinderit, miqte, atdheun e mbare njerezimin. Ç'do t'i kishte mbetur historise nese askush nuk do te ishte ulur qe te shkruante nje copez te historise se  bashkekombasve te tij?
 
Ne librin e tij "Dy dekada me shqiptaret e Frances" Abaz Pllana ka permbledhur deshmite e 20 viteve te organizimit shqiptar ne Lion e ne France. Te permbledhesh njezet vite ne 350 faqe liber, ma merr mendja se duhet te kete qene ushtrim tejet i veshtire. 350 faqe mund te shkruheshin vetem per lokalin e vogel me zemer te madhe ne Vaulx en Velin ku rrahu per here te pare zemra shqiptare e organizimit ne Lion, per shkollen shqipe, biblioteken, gazeten "Rruga Jone", mbremjet e kaluara me syte ne ekranin e televizorit duke pritur se bashku lajmet nga vendlindja. 350 faqe mund te shkruheshin vetem me emrat e personave qe mbeshteten fondin "Vendlindja therret". 350 faqe mund te shkruheshin vetem per manifestimet ne kohen e Luftes ne Kosove. 350 faqe mund te shkruheshin vetem me solidaritetin e shqiptareve ndaj njeri-tjetrit ne keto njezet vite.
 
Perveç nje hyrjeje te shkurter, Abaz Pllana i ka dhene deshmite ne pozicionin e veshguesit nga jashte, pa i komentuar ngjarjet, duke transmetuar raportet, fjalimet, traktet, letrat, ashtu siç u shkruan nga autoret e tyre.   Ai shkroi kujtimet me bashkatdhetarët e tij, me të cilët arriti të krijojë një copëz atdhe në mërgim. Nga Shoqata Shqiptare Fan Noli tek Shoqata Shqiptare Iliria, nga lokali në Vaulx en Velin në manifestimet në Rambouillet, lexuesi ndjek hap pas hapi organizimin Shqiptar në Lion, por më shumë se kaq.
Ai përjeton gëzimin e nxënësve që mësonin gjuhën shqipe; dasmat e gëzimet e anëtarëve,  dhembjen për humbjen e shokëve të shtrenjtë, solidaritetin e jashtëzakonshëm ndaj njëri-tjetrit,  emocionet kur ndiqnin me ankth në televizor krimet në Kosovë;  lotët e transformuar në forcë për të manifestuar në zemër të Parisit; sakrificat e atyre që jepnin gjithçka për t'iu përgjigjur fondit "Vendlindja thërret", heroizmin e atyre që lanë familjen për të luftuar kundër kriminelëve.
 
Kur lexojme librin e kuptojme mire se organizimi shqiptar ka njohur dy epoka : epoka e shoqates se famshme Fan Noli dhe Epoka e Shoqates Iliria. Shnderrimi i organizimit pati lidhje te drejtperdrejte me ngjarjet politike ne Kosove.  Kohët e luftës me armë në dorë mbaruan me shpalljen e pavarësisë në Kosovë. Por organizimi shqiptar në Lion pati të gjitha arsyet për të ekzistuar. I orientuar ndaj një "lufte" tjetër, diplomatike këtë herë, ai synon të ndryshojë opinionin për shqiptarët dhe të shërbejë si vektor i transmetimit të vlerave më të mira të kulturës shqiptare pranë shoqërisë franceze. "Uji fle, hasmi s'fle" thote nje fjale e urte popullore. Tani qe lufta me arme ne dore ka mbaruar, shqiptaret duhet te jene me vigjilente se kurre per te ardhmen e vendit te tyre. Shqiperise ia kane futur thiken ne shpine armiqte historikisht neper sallonet diplomatike e jo ne fushat e betejes. Per kete arsye shqiptaret nuk duhet  ta ulin kurre vigjilencen per te mbrojtur interesat e atdheut. Dhe keto interesa nuk mbrohen vetem ne fushen e betejes me arme ne dore. Ato mbrohen perdite, jo me arme, por me pende. Abaz Pllana e ka kuptuar rendesine e pendes, e prandaj nuk e leshon nga dora. Ajo eshte arma me e fuqishme sot, sepse na tregon nga vijme, se na tregon se çfare rruge duhet te ndjekim.  Për ne, për fëmijët tanë, për ata që do të marrin pishtarin e këtij organizimi e që do të na zëvendësojnë një ditë.

 Njëzet vite të organizimit shqiptar në Lion e në Francë sot nuk mund të harrohen. Si bleta qe mbledh lule me lule nektarin e çmuar per ta shnderruar ne mjalte, Abazi ka mbledhur per njezet vite rrjesht dokumenta, trakte, fjalime, raporte per te krijuar arkivin e shoqates Fan Noli e Shoqates Iliria. Kete arkiv qe sot ai na e ben dhurate, qe gjithsecili te mund ta mbaje ne biblioteken e tij. Ky liber sot nuk eshte me libri i Abazit, eshte libri i shqiptareve të Lionit dhe Frances.  Te gjithe kane shkruar disa vaqe te ketij libri. E kane shkruar dhe ata qe sot nuk jane me mes nesh po qe ky liber nuk i le ne harrim. 
 
Duhet të bej nje pohim te sinqerte : tek punoja faqet e librit ndjeja se si rriteshin brenda vetes dy ndjenja : krenaria dhe pergjegjesia. Krenaria qe ju jam bashkuar dhe qe ndihem pjese e kesaj diaspore atdhedashese. Pergjegjesia sepse duhet te jem ne lartesine tuaj.
 
Nuk mund te le pa falenderuar per punen e jashtezakonshme qe ka bere me Abazin për kete liber zotin Fehmi Plakiqi. Bravo Fehmi, bravo Abaz, qofshi te nderuar. Dhe faleminderit ju, te dashur bashkatdhetare qe i keni dhene jete kesaj diaspore te forte, atdhedashese qe eshte forca me e madhe politike shqiptare, qe ka nje udheheqes te vetem qe quhet patriotizem.

15 shkurt 2015

***************************

Mos kini frikë nga arti !

Librin "Zoti Ibrahim e lulet e Kuranit" Shkrimtari Eric Emmanuel Schmitt e ka shkruar brenda disa ditësh, në një cep tavoline në një kafene që zhurmonte jetë. Autori nuk do ta imagjinonte kurrë se ato faqe që i shkroi me lehtësinë me të cilën merrte frymë, do të përktheheshin e do të bënin xhiron e botës nëpër salla teatresh. E si mund t'i mungonte kjo pjesë teatrale skenës së teatrit shqiptar ? E si mund t'i mungonte Mirush Kabashit ky rol në karrierën e tij artistike ? Në pjesën teatrale "Zoti Ibrahim e lulet e Kuranit" kemi një copë Paris, që nuk ngjan me Parisin që njohim. Jemi në Lagjen Blu që nuk është blu. Arabi i ushqimores nuk është vërtet arab. Kurani i tij, që i ka mësuar gjithçka di, në vend të bindjes së verbër fsheh dy lule të thara dhe një letër. Skena është e thjeshtë : një kanape, një karrige; në sfond një bibliotekë e zymtë. Mirush Kabashi është i vetëm në këtë dekor pothuajse të zhveshur. Dekor i zhveshur deri në çastin kur ai hyn në skenë. Si kameleon, ai u jep jetë personazheve diametralisht të kundërt : një baba i ftohtë që rrit pa dashuri një vogëlush të trishtuar; prostitutat e rrugës "Parajsa", Brixhid Bardonë tërë naze, një nënë që ka braktisur një foshnje disa ditë pas lindjes;, djalin e vogël që vjedh konserva në dyqanin e arabit që ëndërron të bëhet burrë por, mbi të gjitha, të mençurin zotin Ibrahim. Mirush Kabashi na i sjell të gjitha këto personazhe, plot emocion, me artin e tij të madh. Në këtë pjesë që të mban frymën pezull, spektatori lëkundet mes të qeshurave e lotëve. Ekuilibrin e gjejmë tek urtësia që rrjedh si lumë nga Zoti Ibrahim, që i mëson vogëlushit të braktisur që e vjedh se ç'është jeta, ç'është dashuria, ç'është ngrohtësia, ç'është buzëqeshja, ç'është falja, ç'është mirëkuptimi. Titulli i pjesës i lë skeptikë shumë njerëz. Kur dolëm nga shfaqja dëgjova shkarazi njerëz që thoshin se shumë veta nuk kishin ardhur vetëm nga titulli i saj. Besimtarët kishin frikë se do të fyheshin, mosbesimtarët gjithashtu. Më erdhi keq për paragjykimet e tyre. Zoti Ibrahim na mëson me urtësi se besimi i vërtetë nuk është bindje e verbër. Është liria për t'i pranuar njerëzit siç janë e t'i duash për atë që janë, me të metat e me cilësitë, të mëson t'i kuptosh e të mos i paragjykosh aktet e tyre, deri të falësh një nënë që braktis një fëmijë, apo një baba që nuk di të japë ngrohtësi. Ja shpjegimi i këtij titulli misterioz, që i le në dyshim njerëzit para se të blejnë biletën për të hyrë në teatër. Të shunën mbrëmë, në Gjenevë ishim në teatrin Madelene. Në skenë një copëz Paris që nuk ngjante me Parisin që njohim. Rruga Blu nuk ishte blu. Arabi i ushqimores nuk ishte vërtet arab. Por Mirush Kabashi ishte gjithnjë i njëjti aktor i madh. Që na bëri të qeshim e na bëri të qajmë. E në fund ta duartrokasim me sa fuqi kishim për artin e tij. Ky art që, si vera, me kalimin e viteve, bëhet edhe më i çmuar.

Rina Çela Grasset »

.

***************************

  • Jo harrimit !

    Me kalimin e kohës harrimi mbulon fillimisht datat, pastaj emrat, pastaj kronologjinë... Duke kaluar gojë më gojë historitë ndryshojnë konturet, n...gjarjet treten në muzgun e kujtesës, bisedat fillojnë me "A të kujtohet ?" ose "Thonë se një herë e një kohë..." Dhe vjen një ditë kur kujtesa shuhet me njeriun si flaka kur nuk ka më oksigjen. Ç'mbetet prej saj ? Një legjendë që mbulohet nga hiri i kohës...

    Patrick Modiano, nobelisti francez i letërsisë, me të drejtë shkruan: "Është detyra e shkrimtarit, para faqes së bardhë të harresës, të sjellë fjalët e fshira përgjysëm, si ajzbergët e humbur që shkasin tutje sipërfaqes së oqeaneve."
    Me durim, vullnet e këmbëngulje Abaz Pllana i ka vënë vetes për detyrë të mbledhë këto copa kujtese të shpërndara për t'i transformuar në një vepër që t'i rezistojë kohës e harrimit. Këtë gjë ai e filloi në librin e tij të parë "Shpresa për gjyshin" ku nxjerr nga thellësitë e kujtesës copëza të jetës së gjyshit të cilit i ka trashëguar emrin. Emrin, besën dhe atdhetarinë! Atë gjysh që humbi diku burgjeve të Serbisë për faj të patriotizmit së tij, Abaz-nipi ia ktheu përjetësisë, duke i dedikuar një libër jetës së tij të këputur përgjysmë.

    Po në vazhdën e kësaj detyre që i ka vënë vetes, që të luftojë kundër harresës, Abaz Pllana mblodhi e seleksionoi për vite të tëra dokumentet e veprimtarive të Shoqatës Shqiptare në Lion. Ai shkroi kujtimet me bashkatdhetarët e tij, me të cilët arriti të krijojë një copëz atdhe në mërgim. Nga Shoqata Shqiptare Fan Noli tek Shoqata Shqiptare Iliria, nga lokali në Vaulx en Velin në manifestimet në Rambouillet, lexuesi ndjek hap pas hapi organizimin Shqiptar në Lion, por më shumë se kaq. Ai përjeton gëzimin e nxënësve që mësonin gjuhën shqipe; dasmat e gëzimet e anëtarëve, dhembjen për humbjen e shokëve të shtrenjtë, solidaritetin e jashtëzakonshëm ndaj njëri-tjetrit, emocionet kur ndiqnin me ankth në televizor krimet në Kosovë; lotët e transformuar në forcë për të manifestuar në zemër të Parisit; sakrificat e atyre që jepnin gjithçka për t'iu përgjigjur fondit "Vendlindja thërret", heroizmin e atyre që lanë familjen për të luftuar kundër kriminelëve.
    Kohët e luftës me armë në dorë mbaruan me shpalljen e pavarësisë në Kosovë. Por organizimi shqiptar në Lion pati të gjitha arsyet për të ekzistuar. I orientuar ndaj një "lufte" tjetër, diplomatike këtë herë, ai synoi të ndryshojë opinionin për shqiptarët dhe të shërbejë si vektor i transmetimit të vlerave më të mira të kulturës shqiptare pranë shoqërisë franceze.

    Njëzet vite të organizimit shqiptar në Lion e në Francë sot nuk mund të harrohen. Falë librit të Abaz Pllanës ky libër i bën të përjetojë gjithkujt kohën e shkuar, atë kohë na që shërben si far për të ardhmen. Për ne, për fëmijët tanë, për ata që do të marrin pishtarin e këtij organizimi e që do të na zevendësojnë një ditë.
    Një proverb thotë: "Boja, edhe e zbehtë, vlen më shumë se një kujtesë e fortë." Falë bojës së fortë me të cilën është shtypur ky libër, lufta, përpjekjet, sakrificat, puna e palodhur e bashkatdhetarëve shqiptarë në Lion e Francë nuk do të bien kurrë në harrim. Faleminderit Abaz !

    Rina Çela Grasset

    .

    ***************************

    Gjuha shqipe në Forumin e Gjuhëve Botërore të Lionit
    21 shtator 2014

    Shoqëria Shqiptare ILIRIA, për herë të katërt mori pjesë në Forumin e Gjuhëve Botërore të Lionit. Me organizimin e kësaj shoqërie, gjuha shqipe u prezentua edhe njëherë suksesshëm. Forumi i Gjuhëve Botërore të Lionit ka filluar të organizohet në Lion që nga viti 2010. Ajo lindi si propozim i Shoqërisë "Evropa dhe Kompanie" dhe strukturave tjera kulturore të qytetit të Lionit, që do mbahej në vazhdën e Ditës Evropiane të Gjuhëve. Qëllimi i këtij aktiviteti është promovimi i shumëllojshmërisë gjuhësore të Lioinit dhe regjionit Rhone-Alpes. Liria e përdorimit të gjuhës, barazia e gjuhëve mes tyre si dhe dialogu vëllazëror mes përdoruesve të gjuhëve të ndryshme janë edhe nga synimet kryesore të këtij Forumi. Veprimtarët e Shoqërisë Shqiptare ILIRIA, me një punë vullnetare organizuan stendën e gjuhës shqipe, shumëzuan dhe zgjodhën materiale tjera gjuhësore që e radhit gjuhën shqipe një ndër gjuhët e para të njerëzmit. Trashëgimia kulturore e shqiptarëve paraqitet më së miri përmes gjuhës së tyre. Përveç shpjegimeve gojore të veprimtarëve shqiptarë, nuk munguan edhe materiale tjera nga albanologë shqiptarë dhe të huaj, historianë të ndryshëm që prezentuan vjetërsinë dhe vlerat e mëdha të gjuhës sonë shqipe. Më 21 shtator 2014, me paraqitjen e gjuhës shqipe në Forumin e Gjuhëve Botërore të Lionit, Shoqëria Shqiptare ILIRIA la një përshtypje shumë të mirë tek organizatorët dhe vizitorët e rastit. Nuk munguan edhe ide të reja për aktivitete të ardhshme dhe realizimin sa më të mirë të aktiviteteve që janë paraparë tashmë për të ardhmen.

    ***************************

    Grupi Teatral nga Kosova merr pjesë në Festivalin "Pranvera Evropiane" në Lion

    Në kuadër të Festivalit "Pranvera Evropiane" që mbahet çdo vit në Lion të Francës, këtë vit nga trevat shqiptare u prezentua trupa e Qendrës Multimedia, nga Prishtina. Pjesa teatrale "Shembja e Kullës së Ajfelit" u shfaq për dy ditë radhë në Teatrin TNG të Lionit. Të shtunën më 24 maj 2014 dhe të dielën 25 maj 2014, adhuruesit e teatrit patën mundësi të shohin këtë shfaqje të trupës teatrale nga Kosova.

    Me regjinë e Jeton Nezirajt dhe aktrimin e Shengyl Ismailit, Adrian Morinës, Ernest Malazogut dhe Armend Ismailit kjo pjesë teatrale për temë kishte kryqëzimin e civilizimeve lindore dhe perëndimore në kohë të ndryshme të historisë. Njeriu i thjeshtë ishte në mes këtyre mospajtimeve të mëdha duke kaluar edhe në pozita tragjiko-komike.

    ***************************


    Dita e Flamurit u shënua edhe në Lyon
    Me nismën e Konsullit të Nderit të Shqipërisë, zotit Denis di Leonrado si dhe me mbështetjen dhe organizimin e Shoqërisë Shqiptare « Iliria « , më 29 nëntor 2013, u shënua Dita e Pavaërisë së Shqipërisë. Mbrëmja festive u organizua në zyrat e Konsullit të Nderit.
    Një fjalë përshëndetëse para të pranishmit e mbajti Zoti Di Leonardo që foli për rëndësinë historike të përvjetorit që shënohej. Gjithashtu foli edhe nënkryetarja e Shoqërisë Shqiptare « Iliria », zonja Rina çela që vuri theksin e domosdoshmërisë së ruajtjes dhe forcimit të organizimeve kulturore.
    Me praninë e saj, mbrëmjen festive e nderoi edhe sopranoja e njohur shqiptare, Alketa çela që me interpretime muzikore jashtëzakonisht profesionale i dha madhështi kësaj mbrëmje.

    ***************************
    Më 3 nëntor 2013, në Lyon erdhi një delegacion që i printe Minsitri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, zoti Ditmir Bushati
    Me këtë rast, Konsulli i Nderit i Shqipërisë, zoti Denis di Leonardo në bashkëpunim me Shoqërinë Shqiptare “Iliria” kishin organizuar një takim mes delegacionit shqiptar dhe mërgimtarëve shqiptarë të Lyonit dhe më gjerë. Në përbërje të delegacionit shqiptar bënte pjesë edhe ambasadori shqiptar në Paris, Driton Tole si dhe shefi i kabinetit të Ministrit Pirro Dhëngu.
    Duke folur për të arriturat dhe synimet e Shqipërisë, Ministri Bushati porositi mërgimtarët shqiptarë që të jenë pasqyra më e mirë për Shqipërinë kudo që të ndodheshin. Vetëm kështu mund të çohet lart imazhi dhe dinjiteti shqiptar që synon të hyjë së shpejti si anëtare e BE-së – tha ministri para mërgimtarëve shqiptarë.
    Mërgimtarët të kënaqur me vizitën e Ministrit, patën rastin të shtrojnë pyetje për të cilat kishin nevojë për sqarime nga ministri i ri.
    Një gjë që iu ra në sy të gjithë mërgimtarëve ishte thjeshtësia dhe modestia e Ministrit. Por, ai habiti për të mirë me zgjuarsinë, mendjehollësinë,  dashamirësinë dhe para së gjithash me atdhedashurinë e tij. Më në fund Shqipërinë, pas një pritje të gjatë po e përfaqësonin kuadro të merituara, - menduan shumë nga pjesëmarrësit e këtij debati.
    Ministri kishte një axhendë të ngjeshur të takimeve në Lyon dhe Paris. Megjithatë gjeti kohën që të kalojë disa çaste mes bashkëtadhetarëve të tij. Një veprim për të lavdëruar Ministrin e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, zotin Ditmir Bushati.
    Ca minuta më herët se të fillonte takimin, Ministri jipte një intervistë gazetës franceze “Le Progress”. E morëm gazetën me intervistën e botuar të tij pas dy ditësh. Një mbrojtje e mirë e Shqipërisë në fushën diplomatike. Ai kishte theksuar bindshëm të gjitha progreset e Shqipërisë dhe vendosmërinë e saj për të zënë vend krah vendeve tjera evropiane.
    Nuk ishte Shqipëria më pak Evropë se krejt Evropa tjetër.   
    Në mesin e pjesëmarrësve të këtij takimi të përzemërt, ishin anëtarët dhe dashamirët e Shoqërisë “Iliria”, përfaqësues të Shoqërisë Shqiptare “Iliria” nga Saint Julieni, përfaqësues të Shoqërisë “France – Albanie” si dhe përfaqësues të Shoqërisë “Fëmijët Shqiptarë”.
    Një surprizë e këndshme ishte me pjesëmarrjen në këtë takim edhe të Alketa çelës, sopranos së njohur shqiptare e cila interpretoi me kërkesën e mërgimtarëve një pikë të shkurtër muzikore në fund të takimit.
    Takimi u përmbyll në orët e vona, të vendosur nga të gjithë për rritjen e bashkëpunimit mes mërgimtarëve dhe institucioneve vendore në Shqipëri për të ndërmarrë aktivitete tjera kulturore në prezantim dinjitoz të Shqipërisë.
    Abaz Pllana
    ***************************
    Në Lyon të Francës përfaqësohen denjësisht Shqipëria dhe Kosova
    Në Takimet Konsullore që mbahet tradicionalisht në Lyon të Francës, edhe këtë vit ishin pjesëmarrëse Shqipëria dhe Kosova. Ato jo vetëm që ishin si pjesëmarrëse të thjeshta por atyre iu dha një vend i rëndësishëm si në aspektin kulturor ashtu edhe për nga rrafshi politik.
    Nga 7 deri më 9 qershor 2013, kjo festë e madhe bëri që të mobilizohen shumë seriozisht Ambasadat dhe trupi tjetër diplomatik e konsullor i Shqipërisë dhe Kosovës, dy konsujt e Nderit të Shqipërisë dhe Kosovës si dhe Shoqëria Shqiptare Iliria që vepron në Lyon të Francës.
    Ishin mërgimtarët e shumtë që jetojnë e punojnë në Lyon ata që mbështetën Shqipërinë dhe Kosovën gjatë këtyre tre ditëve.
    Takimet Konsullore zyrtarisht u hapën të premten me vizitën e Kryetarit të komunës së Lyonit Gerard Collomb dhe stafit politik të Lyonit dhe Rhonës në stendat e Shqipërisë dhe Kosovës që ishin shkrirë të dyja bashkë në një të vetme.
    Ambasadori i Kosovës Muhamedin Kullashi, ambasadori shqiptar Driton Tole, Konsulli i Kosovës Kadri Dakaj, Konsulli i Nderit i Shqipërisë zoti Denis di Leonardo, Konsulli i Nderit i Kosovës Jean Christiophe Agguetant dhe pjesëtarë të tjerë të trupit diplomatik të Shqipërisë dhe Kosovës ishin prezentë dhe shumë aktiv në këtë aktivitet me përmasa kaq të mëdha.
    Më madhështor do të jenë dy shfaqjet e Shkollës së Vallëzimit Shota nga Zvicra që do të tundte aq gjallërisht sheshin kryesor të Lyonit – sheshin Bellecour. Daullet dhe muzika shqiptare do të tërheq më shumë se pesë mijë spektatorë ku prej tyre mund të ishin mbi 700 shqiptarë nga të gjitha trojet tona. Një festë shqiptare në mes të Francës – befasi e këndshme që ngjante në manifestimet e njëqindvjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë në qytetet shqiptare.
    Një ansambël shumë profesionist dhe shumë premtues për të ardhmen. Agron Bajrami, koreografi i grupit të vallëtarëve do të jetë shumë i kënaqur me prezencën kaq të madhe të pjesëmarrësve në shfaqjet artistike të së shtunës. Ky grup ngriti lart emrin e shqiptarit dhe nderoi jo vetëm shqiptarët e Lyonit por të gjithë shqiptarët kudo që janë si në viset e tyre etnike ashtu edhe në diasporë.
    Gjatë tre ditëve diplomatët shqiptarë të Shqipërisë dhe Kosovës u treguan shumë aktivë dhe lidhën kontakte të reja me përfaqësues të vendeve të ndryshme. Shumë konsuj, ambasadorë dhe deputetë të vendeve të ndryshme, do të ishin prezentë në stendat e Shqipërisë dhe Kosovës të shtunën pasdite ku u shtrua një koktej me specialitete dhe pije shqiptare që ishin përgatitur nga mërgimtarët shqiptarë të Lyonit.
    Të dielën pasdite do mbyllen takimet konsullore. Një ndër organizatorët e këtij manifestimi treditor ishte edhe Shoqëria Shqiptare Iliria në Lyon që dha një kontribut shumë të madh. Anëtarët dhe simpatizantët e kësaj shoqërie do të tregohen të palodhur që të mbajnë gjallë dhe aq lartë emrin e shqiptarit.
    Shqiptarët me pjesëmarrjen e tyre kaq aktive në këtë manifestim të madh dhe me rëndësi, treguan edhe njëherë se janë popull me virtyte të mëdha. Ata gëzuan simpati nga lionezët dhe gjithë përfaqësuesit vendeve të botës në Lyon. Shqiptarët do të dijnë edhe herave tjera të befasojnë për të mirë botën kudo dhe kurdo.
    Abaz Pllana
    ***************************
    Shoqëria Shqiptare Iliria në Pranverën Evropiane
    Atmosfere festive sot ne Sheshin Sathonay ne Lion. Shoqata Europe et Cie ne bashkepunim me shoqata te tjera kulturore ne kuadrin e aktivitetit Pranvera e Europes organizoi nje dite ku kulturat e ndryshme europiane e nga kontinente te tjera u takuan mes tyre, te larmishme, te bukura, origjinale. Edhe kete vit Shoqeria Shqiptare Iliria mori pjese dhe vajzat e bukura me veshje kombetare e tingujt e daulles e te çiftelise ndezen sheshin. Nje copez Shqiperi ishte ne stenden tone sot.
    Ju mirepresim pas dy javesh ne Sheshin Bellecour per Festat Konsullore, 7 dhe 8 Qershor.

    ***************************
    Marubi me fotografitë shqiptare edhe në Lyon
    Me nismën e Konsullit të Nderit të Shqipërisë, zotit Denis di Leonardo dhe me mbështetjen e Shoqërisë Shqiptare Iliria të Lyonit, më 14 maj 2013 u hap ekspozita e Marubit edhe në Lyon. Ceremonia e hapjes së ekspozitës u drejtua nga Zoti Di Leonardo dhe Rina Cela, nënkryetare e Shoqërisë.
    Në ditën e parë të ekspozitës u organizua edhe një koktej rasti si dhe një prezantim me çifteli nga muzikanti Imer Baçaj.
    Ekspozita do të jetë e hapur për disa javë dhe do të jetë në shërbim të vizitorëve tjerë që nuk patën mundësi të vijnë që në ditën e parë.
    Edhe ky aktivitet është në vazhdën e shumë aktiviteteve tjera të planifikuara për së shpejti.
    Më 26 maj Shqipëria dhe gjuha shqipe do të mbajë stendën në mesin e shumë popujve në Place Sathonay duke marrë pjesë në Festivalin "Pranvera Evropiane". Më 8-10 qershor 2013, Shqipëria dhe Kosova do të përfaqësohen në mes shumë shteteve të botës në Takimet Konsullore që mbahen për çdo vjet në Lyon.
    Abaz Pllana – anëtar i Kryesisë së Shoqërisë Shqiptare ILIRIA

    ***************************

    JAVA E SHQIPËRISË NË LYON  2- 5 prill 2013

    .

    ***************************

    JAVA E SHQIPERISË NË MUAJIN E FRANKOFONISË

    ***************************


    RAPORTI VJETOR I VEPRIMTARISË SË SHOQËRISË SHQIPTARE ILIRIA - 2012

    ***************************
    Një manifestim madhështor në Lyon të Francës për 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë
    Sikur në të gjitha trojet shqiptare, ashtu edhe në diasporë ku ka shqiptarë, valët e festës dhe gëzimit përfshinë mërgatën shqiptare të Lyonit të Francës. Të premten më 30 nëntor 2012, me organizimin e Shoqërisë Shqiptare Iliria të Lyonit, u mbajt një mbrëmje festive që ishte njëra ndër festat më të bukura që janë mbajtur ndonjëherë në Francë apo Evropë.
    Prezenca e ambasadorit shqiptar në Paris, në mesin e mërgimtarëve shqiptarë të Lyonit rriti edhe më shumë karakterin festiv të kësaj nate. Aq më shumë i dhanë karakter festiv kësaj mbrëmjeje festive edhe prezenca e dy miqve të mëdhenj të shqiptarëve, dy figurave të shquara publike franceze, Jacques Bruyas dhe Denis di Leonardo.
    Mbrëmja festive u mbajt në sallën e mrekullueshme që ka një emër të madh, Victor Hugo, që është pjesë e kompleksit të Komunës së Lyon VI. Një skenë shumë e bukur siç mund ta meritojë 100 vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë.
    Pas një mori aktivitetesh të Ambasadorit shqiptar dhe Shoqërisë Shqiptare Iliria gjatë gjithë ditës, duhej të finalizohej me diçka të bukur në mbrëmjen e së premtes. U arrit kjo falë mundit dhe punës së organizatorëve duke mos harruar pa përmendur prezencën mjaft të madhe pjesëmarrësve mërgimtarë, që jetojnë larg vatrave të tyre atërore.
    Mbrëmja u hap me hymnin e Flamurit, kurse një përshëndetje nga cilësia e organizatorit të pranishmëve iu drejtua nënkryetarja e Shoqërisë Shqiptare Iliria, zonja Rina çela. Ajo shpalosi pjesët përbërëse të festës duke prezentuar edhe miqtë dhe të pranishmit e nderit që ishin në sallë.
    Në fjalën e tij, zoti Ylljet Aliçkaj, ambasador i Shqipërisë në Francë, përshëndeti punën dhe unitetin e shqiptarëve rreth Shoqërisë Shqiptare Iliria. Ai përshëndeti punën dhe aktivitetin e veprimtarëve të kësaj Shoqërie duke konsideruar si një ndër Shoqëritë më aktive të diasporës. Ambasadori shqiptar foli gjithashtu për të arriturat e Shqipërisë dhe shqiptarëve në 100 vjetët e fundit duke vërë theksin në fitoren e Kosovës ndaj pushtuesit shekullor serb.
    Në vazhdim të programit foli edhe kryetarja e Shoqërisë Shqiptare Iliria, zonja Ledia Dema, profesoreshë e Semantikës në Universitetin e Lyonit. Ajo mbajti referatin kryesor për rëndësinë historike të 28 Nêntorit. Dita e flamurit dhe e Pavarësisë marrin kuptim edhe më të madh – tha zonja Dema – kur në të njëjtën ditë shënojmë edhe ditëlindjen e komandantit legjendar Adem Jasharit dhe daljes në skenë të UçK-së që u ngrit në luftën çlirimtare për çlirimin e Kosovës.
    Denis Di Leonardo, konsull nderi i Shqipërisë në Lyon, si çdo herë tjetër ishte në përbërjen e këtij organizimi. Ai foli për punën e madhe që bënin veprimtarët e kësaj Shoqërie për promovimin e kulturës shqiptare në Francë. Ai që kishte qenë një ndër bartësit kryesor të shumë aktiviteteve të natyrës ekonomike mes Francës dhe Shqipërisë, sonte ishte në mbështetje të një prezentimi akoma më të madh të shqiptarëve dhe Shqipërisë në Francë.
    Një personalitet i njohur i letrave të gjuhës frënge është padyshim edhe intelektuali i madh francez Jacques Bruyas. Siç ndihej i lumtur në mesin e shqiptarëve në 100 vjetorin e pavarësisë, ai ndihej gjithashtu shumë i lumtur për një mbështetje që po i jepte një populli kaq të vjetër dhe kaq të pasur me virtyte të mëdha. Ai sonte foli edhe Justin Godard, një njeri i politikës franceze që ishte një admirues i madh i shqiptarëve. Ai është në krye të një Asociacioni që mban emrin Justin Godard, të njërit nga miqtë më të njohur të shqiptarëve në Francë.
    Pas pjesës së parë të programit, këngët dhe vallet duhej ta plotësonin e ta përmbyllnin sa më mirë këtë mbrëmje festive. Dhe kjo përmbyllje e aktiviteteve për 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, nuk do të mund të bëhej më madhështor seç e bënë dy grupet muzikore – Shoqëria Kulturoro-artistike Iliria nga Saint Julieni dhe ansambli i këngëve dhe valleve Rinia nga Gjeneva.
    Këngët tradicionale me sharki dhe çifteli kënduar nga Shoqëria Iliria e Saint Julienit nën udhëheqjen e muzikantit tashmë të dëshmuar, Mufail Hazirit, mbushi sallën Victor Hugo me duartrokitje të mëdha. Këngët atdhetare shqipe tundnin me kaq forcë mbi çatinë e kësaj salle sa të vjetër dhe prestigjioze. Repertori i këngëve nga ky grup entuziazmoi fuqishëm zemrat e mërgimtarëve shqiptarë që me aq mall presin të dëgjojnë zërin e çiftelisë.
    Një paraqitje solo e artistes Lule Nikaj gjithashtu u prit shumë mirë në këtë përvjetor jubilar. Kënga "More e bukura More" u përcjell me duratrokitje të gjata.
    Në fund të programit ishte paraparë koncerti i Ansamblit të këngëve dhe valleve Rinia nga Gjeneva. Një muzikë shumë e pastër shqiptare, me një përgatitje tejet profesionale, me një koreografi madhështore, me kostumet aq të bukura dhe me shije, ngritën në këmbë sallën. Megjithëse reputacionionin e madh të kësaj salle, nuk besoj se shpesh mund të dridhet me kaq forcë çatia e këtij institucioni kulturor. Të rejat dhe të rinjtë e ansamblit Rinia, tundën edhe më fuqishëm zemrat e pjesëmarrësve me prezentimin e tyre madhështor. Iu lumtë këtyre djemve dhe vajzave kaq të mrekullueshëm për punën në kultivimin e kulturës dhe traditave shqiptare. Një mirënjohje të posaçme duhet t’iu bëjmë atyre që punuan dhe punojnë me përgatitjen e këtij ansambli.
    Në Lyon të Francës u shënua në mënyrë madhështore 100 vjetori i Pavarësisë. Valët festive vërshuan edhe mërgatën shqiptare. O sa mirë me kenë shqiptar – ishte një thënie që u dëgjua sa e sa herë edhe në festën  e shqiptarëve të Lyonit.
    Në fund i entuziazmuar nga një mbrëmje kaq madhështore mund të them edhe njê herë më shumë "Ti Shqipëri më jep nder, më jep emrin shqiptar".
    Abaz Pllana      

    ***************************
    Mirush Kabashi në Pallatin e OKB-së në Gjenevë – Iliria në mbështetje të tij
    Jemi në sallën XX - Salla e të Drejtave të Njeriut në OKB, Ambasadori i Shqipërisë në OKB, Zoti Sejdi Qerimaj ka organizuar këtë shfaqje të jashtëzakonshme në zemrën e OKB-së me rastin e 100 vjetorit të Shqipërisë.
    Delegacioni nga shoqata Iliria erdhi enkas nga Lioni i ftuar nga vetë Ambasadori i ShqipërisË. Me ne disa personalitete te jetës kulturore lioneze : Jacques Bruyas, dramaturg e shkrimtar i mirenjohur, veprat e të cilit luhen në teatrot e shumë vendeve të botës. Endrra e tij është që Mirush Kabashi të luajë një nga dramat e tij. Renaud Lesquyer, drejtori i Europe et Cie, që organizon festivalin teatror « Pranvera e Europës » merr shkash nga ky bashkëpunim per të filluar të shkruajë një projekt të përbashkët mes trupave teatrore të Lionit-Torinos-Athinës e Tiranës. Bashkëpunimet marrin jetë, projektet fillojnë të përvijohen ndërsa presim që të fillojë shfaqja.
    Salla është e mbushur plot, dritat fiken, heshtja ndehet si perde mbi ne.
    ...
    « Në vitin 399 para Jesu Krishtit shteti i lavdishëm i Athinës gjendej në një situatë tepër kritike. Ekonomia ishte shkatërruar, varfëria mbretëronte gjithandej. » - shqipton me një ton të errët Alfred Bualoti duke na gozhduar të gjithëve në vend ! Është fjalia e parë e « Apologjisë së vërtetë të Sokratit » - tonaliteti është dhënë. Gjashtë shekuj më vonë historia përsëritet- mendojmë në heshtje.
    Gjatë tërë shfaqjes aktualiteti i kësaj vepre na lë pa frymë. Mirush Kabashi është kaq bindës në rolin e tij sa kemi përshtypjen se kemi vërtet Sokratin përballë nesh, këtë Sokrat që nuk i është shmangur vuajtjes e ka gjetur rrugën e lumturisë, që ka kërkuar të vërtetën dhe e ka gjetur, që nga i akuzuar kthehet në akuzues në gjyqin që i bëhet atij vetë. Tensioni vjen duke u ngritur, derisa mbetemi plotësisht të hipnotizuar ! Mirushi-Sokrat kthen kupën e helmit – ne gëlltitemi hidhurazi në një gjest të përbashkët ! Ky është ARTI ! Ky është ARTISTI !
    Pjesa ka mbaruar, zyrtarët e huaj ngrihen në heshtje, njëri pas tjetrit, me ndrojtje, tronditja lexohet në fytyrat e tyre. Ambasadori grek është i ngurtë si statujë antike ! Diplomatët pranë tij gjithashtu ! Ata që pikërisht në këtë sallë kaq simbolike - Salla e të Drejtave të Njeriut në OKB- marrin vendimet për kombet, që shpallin embargo, që deklarojnë luftëra, që bëjnë paqe - ndoshta ndjehen të akuzuar ? Duartrokitjet shpërthejnë nga të gjitha anët e kthehen në një dallgë të vërtetë që dridh muret e kësaj salle, ashtu siç na dridhën zemrën emocionet që na përcolli Mirush Kabashi. Ai buzëqesh, përkulet para nesh, merr lule, shtrëngon duar, njerezit e përqafojnë, e përgëzojnë: të gjithë duan ta prekin këtë legjendë të gjallë të artit shqiptar !
    Rina çela
    Nënkryetare e Shoqërisë Shqiptare Iliria - Lion

    ***************************

    Mirush Kabashi duartrokitet edhe në selinë e OKB-së në Gjenevë
    Më 2 tetor 2012, në selinë e OKB-së në Gjenevë, aktori i madh shqiptar Mirush Kabashi, luajti pjesën teatrore “Apologjia e vërtetë e Sokratit”. Një vepër e madhe e aktruar me shumë mjeshtëri nga i madhi Mirush Kabashi.
    Atë ditë kur morëm vesh se Mirush Kabashi do të vinte për të luajtur pjesë teatrore në Gjenevë, u dha ideja se duhej shkuar ta shihnim. Ta shihnim sepse çdo pjesë teatrore apo mbrëmje kulturore, Mirush Kabashi i bën më mirë se asnjë tjetër. Duhej të vendosnim që ta takojmë edhe njëherë në skenë aktorin e madh shqiptar edhe për një arsye krejt personale. Që prej dy mbrëmjeve kulturore që mbajti në Lyon para ca muajsh, ai mbeti një mik shumë i mirë i anëtarëve dhe dashamirëve të Shoqërisë sonë Iliria.  
    Edhe udhëtimi ishte i këndshëm mes shokëve të mirë dhe me vullnet që të vyejnë sa më shumë për Shqipërinë dhe kauzën kombëtare. Të martën, më dy tetor përveç tjerash duhej ta mbështetsnim aktorin tonë që jipte një shfaqje në qendrën e OKB-së në Gjenevë. Më shumë se kudo tjetër kishim dëshirën që të shkelqejë akoma më shumë në podiumin ku me dekada të tëra u morën nisma dhe vendime të rëndësishme për botën. Pjesa teatrale e Mirush Kabashit mund të jetë edhe një qortim “artistik” për të mëdhenjtë që ndajnë drejtësi në botën e sotme. Shqiptarët, shumë herë mbajtën mbi kurrizin e tyre peshën e rëndë të këtyre vendimeve. Natën e dy tetorit në podium do të ngjitej ambasadori i kulturës shqiptare.
    Drejtori gjeneral i zyrës së OKB-së në Gjenevë, Kassym Jomart Tokajev, përshëndeti nismën e një shfaqje të tillë duke dhënë kualifikime të larta për iniciatorët. Pas tij, ambasadori i përhershëm shqiptar në selinë e OKB-së në Gjenevë, Sejdi Qerimaj përshëndeti pjesëmarrësit e mbrëmjes duke i paralajmëruar se do të befasoheshin këndshëm me “Apologjinë e vërtetë të Sokratit” të Mirush Kabashit. Edhe Ambasadori Qerimaj u ndje si në shtëpinë e tij sepse kishte disa dhjetëra shqiptarë që ishin ftuar në shfaqjen e “...Sokratit”.
    Një sallë jashtëzakonisht e bukur dhe me një dekor që ndoshta nuk ishte paramenduar asnjëherë të bëhej teatër në të. E vërteta është se kur hyra në sallë u frikova shumë se shfaqja e Mirush Kabashit do të binte nën hijen e një punimi kaq madhështor arkitekturor. Frika ime fatmirësisht ishte e pavend falë aktorit tonë të madh Mirush Kabashit që shkëlqeu edhe përballë një dekori markant.
    Por, Mirush Kabashi dëshmoi edhe njëherë se është i madh. Shumë i madh dhe padyshim që arrin përmasat botërore. Përcjellja me aq kujdes të monologut, ndjekja fjalë për fjalë e përkthimit dhe duartrokitjet shumë të gjata ishin një mirënjohje për punën dhe profesionalizimin e Mirush Kabashit.
    Larta e bukur pesëvjeçare e veshur me kostumet popullore shqiptare, me buqetën me lule i hidhet në përqafim Mirush Kabashit. Edhe ajo e ndjente se Mirush Kabashi ishte dhe mbetet një shqiptar i madh.
    Pas shfaqjes ishte organizuar nga ambasadori shqiptar Qerimaj edhe një koktej rasti. Ishte rast i mirë të bisedohej për nisma tjera të shpalimit të kulturës dhe artit shqiptar në botë. Ishte momenti i njohjes dhe lidhjes së miqësive mes pjesëmarrësve të kësaj shfaqje teatrore.
    Kështu ndodhi edhe mes nesh dhe ambasadorit shqiptar Sejdi Qerimaj. Ai u interesua për punën dhe jetën e mërgimtarëve shqiptarë në Francë. Kërkoi falje që nuk kishte mundur të vinte në aktivitetetet e Shoqërisë për shkak të aktiviteteve të ngjeshura të tij por, premtoi se do të gjente kohën dhe me dëshirën e madhe do të ishte pjesëmarrës në aktivitete tjera të Shoqërisë Iliria.
    Dy fjalë edhe për përshtypjet e mia për ambasadorin shqiptar. Ambasadori Qerimaj ishte një njeri shumë i afërt dhe i çiltër. Ishte i këndshëm për bisedë dhe sharmant. Duke pasur këto cilësi dhe duke shtuar aftësitë e tij prej diplomati për të cilat nuk dyshoj, mund të them se shqiptarët kanë një përfaqësues të denjë në selinë e OKB-së në Gjenevë.
    Të kënaqur me një mbrëmje të mirë, nisemi të kthehemi në Lion. Të entuziazmuar me arritjen e kësaj mbrëmje, marrin udhë ide dhe nisma tjera për të realizuar në të ardhmen.
    Abaz Pllana
    Anëtar i Kryesisë së Shoqërisë Shqiptare ILIRIA

    ***************************

    « Après un voyage heureux et chantant, organisé par Iliria, nous pénétrons dans l'enceinte de l'ONU à Genève. L'ambassadeur d'Albanie nous accueille et nous guide jusqu'à la salle des Droits de l'Homme et de l'alliance des civilisations. Ravissement devant le plafond peint en 2008 par Miguel Barcellos ! une féérie visuelle. C'est émouvant d'être là avec nos amis albanais pour voir La Véritable Apologie de Socrate.
    Discours d'accueil du Directeur-général et des ambassadeurs albanais et grecs. C'est déjà hautement symbolique et solennel, que les deux diplomates aient organisé ensemble la venue de Mirush et du spectacle.

    Les mots de Varnalis résonnent particulièrement dans cette enceinte prestigieuse et symbolique. Le public semble conscient de l'enjeu ! et la double traduction permet à tout le monde d'entrer dans ce procès vertigineux.
    J'entends ces mots pour la deuxième fois et je suis frappé par l'actualité et la force du propos.
    Mirush semble totalement habité et nous oublions vite que nous sommes à l'ONU.C'est particulièrement troublant quand il s'adresse aux "officiels". Il me semble que je suis à Athènes, mais pas à l'époque de Socrate, aujourd'hui, et que la TROIKA est sur le banc des accusés.
    Etrange comme cette "parole du peuple" prend ici, parce que nous sommes à l'ONU, parce que le public est originaire des 5 continents, une densité et une acuité singulières.
    Merci Mirush, et toute l'équipe de nous avoir emporté l'âme et le coeur et fait vibrer sous le stupéfiant plafond peint de Miguel Barcellos.
    Renaud Lesquyer
    Directeur d'Europe et Cie »

    ***************************

    Gjuha shqipe prezentohet denjësisht në mesin e 80 gjuhëve të botës
    Lyon, 23 shtator 2012
    Një ditë e këndshme dhe e bukur në Sheshin Sathonay. Në këtë kullë Babeli në qendër të Lionit, mes gjuhëve të botës, gjuha shqipe tingëlloi çiltër në stendën shqiptare për kënaqësinë e shqiptarëve dhe të huajve që erdhën dhe e vizituan.
    Shqipëria zgjon gjithnjë kurreshtjen e kalimtarëve: Pyetjet "Pse shqiponja ka dy kokë ?", "Me cilën gjuhë ngjan shqipja?", "nga vjen shqipja ?" na vërshonin nga të katër anët, fletëpalosjet që vullnetarët e Shoqërisë sonë ILIRIA kishin përgatitur u morën nga francezë të etur për të mësuar më shumë rreth gjuhës sonë të dashur. Pjesëmarrja në aktivitete të tilla është një kënaqësi e vërtetë. U lumtë vullnetarëve e simpatizantëve të Shoqërise Shqiptare Iliria për kohën dhe energjinë që vunë në dispozicion, që pjesëmarrja e gjuhës shqipe në Forumin e Gjuhëve të bëhej realitet edhe këtë vit.

    ***************************

    'Apologjia e vërtetë e Sokratit' triumf në Lion të Francës
    Shkruan : Dhurata Hamzai
    LION- Edicioni i pestë i festivalit ndërkombëtar të Teatrit “Pranvera Europiane” u zhvillua në Lion nga data 23 maj deri në 2 qershor. Shqipëria u përfaqësua si i vetmi vend nga Ballkani, tha Alfred Buloti pas kthimit nga Franca. Bualoti tradicionalisht shoqëron aktorin Mirush Kabashi në epilogun e “Apologjisë së vërtetë të Sokratit” bashkë me një balerinë. Ai thotë për “Shqiptarja.com” se Shqipëria ishte në një festival ku merrnin pjesë vetëm vendet e Bashkimit Europian. Tema e edicionit të pestë të festivalit teatror të Lionit ishte demokracia. Organizatorët kanë hulumtuar për të gjetur një shfaqje që sjell risi nga një traditë teatrore e panjohur për Francën. Pasi pamë se është përfaqësuar me sukses në shumë ngjarje teatrore ndërkombëtare ata zgjodhën “Apologjia e vërtetë e Sokratit”, e cila luhet nga aktori Mirush Kabashi. Shoqata “Iliria” e shqiptarëve të Lionit nëpërmjet festivalit ka krijuar kontakte me aktorët shqiptarë dhe ndihmoi organizatorët që të sjellin një shfaqje të nivelit të lartë nga Shqipëria. “Apologjia...” dhe loja e Mirush Kabashit janë prezantuar prej vitesh në disa festivale ndërkombëtare. 

    Mirush Kabashi mes emocioneve të natyrshme për suksesin rrëfen se shfaqja shënon edhe 15 vjetorin e saj. Ai pohon se ka punuar me pasion për të, por se kishte menduar që do të universalizohej ky lloj interpretimi, siç iu konfirmua në Francë. Nga Lioni na shkruajnë se publiku francez dhe shqiptarët e pranishëm në sallën Rameau në qendër të Lionit janë ngritur në këmbë dhe kanë pritur me duartrokitje dhe entuziazëm të rrallë interpretimin e Sokratit nga Mirush Kabashi. “Nuk e imagjinoja që gjuha shqipe të tingëllonte kaq bukur në vesh”, i thoshte shkrimtari Zhak Bruja ambasadorit shqiptar, zotit Ylljet Aliçka. “Kultura shqiptare është e panjohur për ne francezët, e ndjehem i tronditur deri në themelet e qenies sime para demonstrimit të artit të madh të këtij populli të vogël. Bravo organizatorëve të Festivalit”, tha ai. 
    MIRUSH KABASHI: SUKSESI, ME I LUMTUR KUR ME LEVDUAN NE GJUHEN SHQIPE
    Ajo që mua më la mbresa është përsëritja e entuziazmit të spektatorit francez dhe unë pata fatin të përsëritja një sukses të dytë në Francë, ku dy vjet më parë dhashë Sokratin në një nga sallat më të bukura që është “La Palace”, por atëherë ishte vetëm për miqtë francezë kjo shfaqje. Këtë herë u dha për një festival me emër. Duartrokitjet e stërzgjatura dhe thirrjet entuziaste të spektatorëve, si dhe mbresat që la shfaqja tek shkrimtari dhe dramaturgu francez Zhak Bruja do ta kalonin masën dhe ishin motivues. Vlerësimi profesional më ka dhënë shumë inkurajim dhe kënaqësi që unë pata fatin të prezantojë një pjesë të traditës së teatrit shqiptar. E përfaqësoj unë apo nga ndonjë aktor tjetër nuk ka rëndësi, por ka rëndësi të vlerësohet në një vend me tradita kulturore, letrare, artistike dhe teatrore të jashtëzakonshme siç është Franca.
    Ndër vendeve e Ballkanit ishit i vetmi përfaqësues, por edhe i vetmi shtet ndër ato që nuk janë në BE .
    Kjo do të thotë shumë dhe është një fakt shumë interesant që ju kapët. Të gjitha vendet pjesëmarrëse në këtë festival ishin vendet që i takonin Bashkimit Europian. Për herë të parë në një festival që i takon këtij bashkimi vinte Shqipëria dhe për herë të parë flitej Gjuha Shqipe.
    Zhak Bruja foli për gjuhën shqipe, çdo të thotë kjo për ju?
    -Për mua do të thotë shumë që ai konfirmoj se gjuha shqipe është sa e vjetër, aq edhe me risi të cilat për fat të keq Bota nuk ka arritur t’i njoh. Por quaj me fat që një pjesë e artistëve si të vokalit, të penave dhe gjinive të tjera kanë shkruar një shprehje të kësaj tradite. E dëgjuar në mënyrë autentike nga një shkrimtar me njohje të gjera Si Bruja mendoj se është një mesazh për të gjithë shkencëtarët e fushës linguistike për të shpjeguar jo vetëm gjuhët e vdekura të antikitetit, por edhe gjuhën antike e të gjallë shqipe që ka tingëllim vokal të pranueshëm edhe për skenat botërore. Le t’i japi shkenca e studimeve linguistike vendin e duhur në pemën e gjuhëve shqipes.
    Me shqiptarët në Lion, u takuat?
    -Shpreh kënaqësinë që një pjesë e mirë e shqiptarëve që nga Kosova e në Jug të Shqipërisë janë integruar në Lion por edhe kanë ruajtur ngjyrën e Shqipërisë. I gjeta të bashkuar dhe me dëshirën për të ruajtur traditat, gjuhën dhe kulturën dhe ata janë zëdhënës të cilësive më të mira të shqiptarëve.
    Kur e vutë për herë të parë në skenë “Apologjinë...” e kishit menduar se do të ndiqte një rrugë kaq të gjatë suksesesh?
    - JO, por kjo ishte një vepër që e kisha me shumë pasion. Në ato vite që kishte censurë, unë kam vënë pjesë të vogla në skenë duke ëndërruar se ndoshta me një ide utopike do të vinte një ditë që vepra të ishte e plotë. Në atë periudhë ishte marrëzi ta mendoje pavarësisht se kam bërë një pjesë të aktit të fundit. Kur u vu në skenë në ‘97-n kur ka pasur pikësynim që të japë shprehjen qytetare të demokracisë, protestën qytetare për ngjarjet e tmerrshme të 97’s që mos u kthefshin kurrë. Vlerësimi i shfaqjes me një stautetë të artë, pjesëmarrja në fest-Butrintin 2002 dhe pjesëmarrja në disa festivale në Kiev, në Prishtinë, në Maqedoni, Beograd, Vjenë, Toronto, Athinë, Paris, Bullgari bëri që kjo me kalimin e kohës të ketë vlerë universale. Këtë vit jam shumë i lumtur me suksesin e Lionit sepse Apologjia mbush 15 vjet nga ngjitja e parë në skenë. Suksesi në Lion dhe më pas projekti që do të shkojë në Kanada me këtë shfaqje janë një ditëlindje e bukur për të, sepse Franca ka një status tjetër dhe është një filtër shumë i hollë, sepse në të gjitha zhanret e artit kanë nxjerrë korifej të nivelit botëror. Thëniet e atyre shkrimtarëve ose kolegëve francez mua më japin një sadisafaksion shumë të madh.

    INTERVISTE ME ALFRED BUALOTIN 
    Si drejtues i festivalit “Butrinti 2000”, çfarë ju bëri më shumë përshtypje në festivalin e Lionit?
    -Ishte interesante mënyra e akomodimit. Të gjitha trupat akomodoheshin në familje franceze. Ne u akomoduam në një nga lagjet më të bukura të Lionit në një shtëpi fantastike. Më bëri përshtypje edhe transparenca e buxhetit që jepej për kulturën dhe u bë i qartë nga kryetari i bashkisë kur u hap festivali. Kryetari i Bashkisë tha se gjithçka i jepnin artit, kulturës dhe teatrit ishte 100 milion euro në vit.
    Si e përjetuat suksesin?
    -Ishte një sallë 600-vendëshe, në qendër të Lionit. Emocionet
    ishin të mëdha edhe pse kisha parandjenjë se shfaqja do të pritej mirë nga veçantia e saj, por edhe provat që ka dhënë në disa festivale ndërkombëtare. Por të shkosh në Francë dhe të japësh mesazhe për demokracinë nuk do të ishte e lehtë, sepse aty janë themelet e demokracisë.
    Kishte titra me përkthimin e dramës?
    -Po. Kryetarja e shoqatës Iliria Ledia Dema ishte edhe pedagoge e frëngjishtes në Lion. Kishte bërë doktoraturën dhe punonte me përkushtim për shoqatën “Iliria”. Ajo bëri një redaktim shumë të saktë të përkthimit dhe pas shfaqjes francezët thanë që përkthimi ishte perfekt. Mënyra si u prit Mirushi ishte e jashtëzakonshme. Ne morëm emocionet të mëdha. Na thanë kaq shumë lavdërime. Nuk flas për organizatorët se ata flasin mirë, por publiku, intelektualët francezë. Erdhi dhe ambasadori ynë në Paris, Ylljet Aliçkaj dhe ai u lumturua.
    LIONEZET: KABASHI, AKTOR I MAHNITSHEM 
    Duartrokitjet e publikut dhe ovacionet zgjatën gjatë duke përshëndetur performancën e trupës shqiptare me në krye Mirush Kabashin e Alfred Bualotin. “E pabesueshme”, “E përsosur”,”aktor i madh”, “performancë e jashtëzakonshme”, “bravo” vinin nga publiku francez dhe shqiptar i pranishëm në sallën Rameau në qendër të Lionit. “Nuk e imagjinoja që gjuha shqipe të tingëllonte kaq bukur në vesh”, i thoshte shkrimtari Zhak Bruja ambasadorit Shqiptar, zotit Ylljet Aliçka. “Kultura shqiptare është e panjohur për ne francezët, e ndjehem i tronditur deri në themelet e qenies sime para demonstrimit të artit të madh të këtij populli të vogël. Bravo organizatorëve të Festivalit “Pranvera e Europës” dhe Shoqatës Shqiptare Iliria që mundësuan ardhjen e trupës shqiptare e qe na mundësuan të ndërgjegjësohemi për arritjet e teatrit Shqiptar.” Disa orë më vonë, në faqen e tij të internetit, Shkrimtari lionez shkroi “Mbrëmje e rralle dje në sallën Rameau ne Lion me Shfaqjen e “Apologjisë së vërtetë të Sokratit” të Kostas Varnalis, me Alfred Bualotin, Milena Norkan dhe në rolin kryesor: aktorin e mahnitshëm, Mirush Kabashi. Shfaqje në gjuhën shqipe, gjuhë e përsosur indo-europiane, shumë muzikore. Një tekst tronditës dhe aktual që hedh një vështrim të rreptë mbi demokracinë e katandisur keq e mos më keq nga interesat e tregjeve të bursave në kaq e kaq vende, e kjo pa dalë nga zona jonë euro. Një mbrëmje e madhe dhe e bukur.” “Ishte i jashtëzakonshëm” shprehej drejtori i përgjithshëm i Festivalit Teatror “Pranvera e Europës”, Reno Lekyje. “E kisha parë Mirush Kabashin në You Tube, por, ta ndjekësh direkt në skenë është gjë tjetër. Shfaqja e trupës shqiptare ishte nga më të mirat e Festivalit. E kisha një parandjenjë kur vendosa që trupa Shqiptare e udhëhequr nga Mirush Kabashi të kishte vendin e nderit në Festival. E meritojnë, nuk kam fjalë tjetër ! “
    Ambasadori Shqiptar i Shqipërisë në Paris, Zoti Ylljet Aliçka, Konsulli i Nderit të Shqipërisë në Lion, Zoti Denis di Leonardo nuk e fshihnin krenarinë e tyre para elozheve të pafundme të të ftuarve dhe të publikut. 
    Mirush Kabashi u shpreh pas shfaqjes : “U ndjeva vërtet shume i kënaqur sonte, jo vetëm qe shfaqja u prit me kaq shume duartrokitje e thirrje entuziaste, jo vetëm qe morëm pjese për here te pare ne festivalin e nderuar “Pranvera Europiane”, por dhe sepse ne sallën kryesore te Bashkisë se Lionit, sonte per here te pare spektatoret e nderuar Lionez, dëgjuan gjuhen e bukur shqipe. Falënderoj thellësisht te gjithë ata qe mundësuan pjesëmarrjen tone ne këtë aktivitet te rëndësishëm Ndërkombëtar si Drejtorin e Fst. z.Reno ...' Ministrinë tone te Kulturës, Ambasadorin Alicka (dhe per prezencën e tij), dhe veçanërisht shoqatën shume aktive te Shqiptareve te Lionit “Iliria”, si dhe nënkryetaren e saj Rina (Cela) Grasset pa këmbënguljen e përkushtimin e së cilës, nuk do te ishte realizuar ky aktivitet.” Ishte thjesht një mbrëmje e jashtëzakonshme !

    ***************************
    Mbrëmje artistike me Mirush Kabashin
    Duke qenë pjesëmarrës i festivalit të teatrove botërore "Pranvera Evropiane" që mbahet në Lion të Francës nga 22 maji deri më 2 qershor 2012, aktori i madh shqiptar Mirush Kabashi me kënaqësi pranoi të bëjë një mbrëmje artistike me mërgimtarët shqiptarë të Lionit.
    Duke qenë një nga mbështetëset kryesore të pjesëmarrjes së Shqipërisë në këtë festival, Shoqëria Shqiptare "Iliria" e Lionit mori përsipër organizimin e kësaj mbrëmjeje artistike. Salla që mban emrin e aktorit të madh Gerard Philippe i shkonte më së miri përshtati mbrëmjes artistike me aktorin e madh shqiptar Mirush Kabashin.
    Mbrëmjen e hapën tre veprimtarët e njohur të organzimit shqiptar të Lionit me rrethinë: Xhemail Xhemali, Avni Bilali dhe Ledia Dema.
    Ledia Dema, kryetare e posazgjedhur e Shoqërisë Shqiptare "Iliria" në hyrje paraqiti shkurtimisht aktivitetet e parapara të shoqërisë për të ardhmen si dhe foli për figurën e madhe të Mirush Kabashit. Ajo shprehu edhe njëherë gatishmërinë e veprimtarëve të Shoqërisë Shqiptare "Iliria" që të punojë sa më shumë për prezentimin e vlerave të mëdha kulturore dhe artitike të Shqipërisë në Francë.
    Në skenë doli më pastaj i madhi Mirush Kabashi. Ai falënderoi ndër të tjera punën e madhe të Shoqërisë si dhe për nevojën e ruajtjes së identitetit kulturor dhe  kombëtar shqiptar.
    Pjesa e parë e pogramit artistik të Mirush Kabashit përbëhej nga poezitë : "Amë e bijë", "I debuemi", "Shpresë", "Gjuha shqipe", "Monologu i Nënë Terezës", "Ah moj demokraci" e të tjera.
    Në pjesën e dytë të programit ishin poezitë " Shqypnija", "Poemë kosovare" si dhe " Porosia e fundit e Skenderbeut".
    Që nga dalja në skenë deri kur përfundoi kjo mbrëmje artistike, Mirush Kabashi dëshmoi se është i madh. Shumë i madh. Poezitë dilnin nga thellësia e zemrës, i shoqëronte me një qëndrim dinjitoz dhe përcillte ndjenjat tek spektatorët që duartrokisnin meritueshëm pas çdo poezie. Ishin të shumtë ata që e shoqëronin me pak zë artistin e madh, që i kishte kthyer mërgimtarët shqiptarë për ato çaste në Shqipëri tek rilindasit tanë, tek këngët dhe poezitë e tyre që flejnë pambarimisht në zemrat kurbetçare. Na hoqi mallin për vendlindjen dhe na shtoi krenarinë tonë kombëtare me ato krijime të bukura.
    Nuk është e tepërt të thuhet edhe njëherë se Mirush Kabashi është padyshim një ndër aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Ai e dëshmoi këtë edhe me intepretimin e tij para mërgimtarëve shqiptarë të Lionit dhe rrethinës gjatëësaj mbrëmjeje. Shqiptarët janë dhe do të jenë krenarë me figurat e mëdha të artit siç është Mirush Kabashi.
    Do të jenë disa prej pjesëmarrësit që fshinin lotët në sy. Lotë që rridhnin nga emocionet e përcjellura tek ata nga Mirush Kabashi. Vajzat e vogla që kishin ardhur me lule iu hodhën në përqafim aktorit të madh. E ndërsa Mirush Kabashi i shtrëngoi fort këto vajza që rriteshin gjithësesi shqiptare në dheun e huaj. As ai nuk mundi të mbajë lotët para këtyre vajzave të vogla. 
    Aktori i madh shqiptar, tregoi edhe njëherë se është edhe atdhetar i madh. Repertori tij dhe mënyra e prezentimit të pikave artistike ishin mesazhe të qarta atdhedashurie, thirrje kushtrim për mbrojtjen, ruajtjen dhe përparimin e Shqipërisë.  Nuk di se si mund ta përçojë këtë frymë atdhetare më mirë e më bukur sesa Mirush Kabashi?         
    Të martën më 29 maj 2012 në sallën Rameau të Lionit, Mirush Kabashi do të prezentohet në Festivalin "Pranvera Evropiane" duke përfaqësuar Shqipërinë. Do jemi të gjithë në përkrahje të tij. Do të jemi të gjithë në përkrahje të Shqipërisë.
    Abaz Pllana

    .

    Publikimet tjera